Ndoshta është pak si shpejt për ta krahasuar me epokat kur aty luanin Barezi e Maldini, apo Kostakurta e Jap Stam, por gjithsesi në “San Siro” ndihen më të lehtësuar. Jo më kot “La Gazeta delo Sport” shkruan se mbrojtja e Milanit është kthyer sërish në “bunker”, duke u bërë e pakalueshme. Në tri ndeshje kampionati nuk ka pësuar asnjë gol, dhe rezistoi deri diku mirë edhe në Europë.
Kjo, edhe pse lideri i saj Romanjoli nuk ka zbritur ende në fushë për shkak dëmtimi. Mungon edhe Duarte, ndërsa nuk erdhi përforcimi i pritur, Kabaku nga Shalke. Futbollistët që po mbajnë barrën janë Kalabria, Kjer, Gabia dhe Teo Hernandez. Ish-lojtari i krahut, Zambrota, thotë se “Milani e ka zvogëluar diferencën me Interin, shumë të mirë lojtarët e krahëve, Dalo dhe Teo Hernandez”. Klubi ndërkaq, njofton se ka rinovime me Donarumën dhe Çalhanoglu, ndërsa në janar premtohen përforcime të tjera.
Sfidanti.al