Edhe Juve-Milan me tifozë, por kuqezinjtë kanë halle të mëdha!

Në Torino do të luhet siç duhet në gjysmëfinalen e dytë të Kupës, ndonëse tifozët nga Lombardia, Veneto dhe Emilia Romanja nuk do të lejohen të hyjnë në stadium. Milani, pra, nuk do t’i ketë besnikët e tij në “Stadiumin Alianc” ndaj Juventusit, ndonëse nuk është ky problemi kryesor i kuqezinjve. Në shtëpinë e Milanit ka plasur konflikti i radhës me emrin “Zvonimir Boban”, dhe me kroatin që duket se është tashmë i larguar. Klubit nuk i pëlqeu një intervistë e ish-yllit të mesfushës për “La Gazeta delo Sportin”, kur shprehej se “kujtoja që Milani ishte i bashkuar”!

Largimi i Bobanit është një fjalë goje, pasi siç raportojnë mediat vihen në pikëpyetje disa rinovime e disa përforcime. “La Gazeta” raporton se shefi ekzekutiv Gazidhis është në konflikt me Bobanin dhe Maldinin, e kjo vë në rrezik rinovimin me Ibrahimoviçin, me Donarumën si dhe blerjen e kartonit të sulmuesit Ante Rebiç. Mediat shkruajnë se Ibra nuk e dëshiron një Milan pa Bobanin dhe Maldinin, pra klubi duhet të mendohet mirë para se të veprojë.

Sfidanti.al