Ka fanelën që dikur e mbanin Omar Sivori, Mishel Platini, Roberto Baxho apo Alesandro Del Piero, dhe vlerësohet si themelor për skuadrën. Paulo Dibala është një “margaritar”, është “la zhoia”, pra gëzimi i Juventusit, dhe klubi torinez po përgatitet për rinovimin me të. Kanë kaluar vetëm disa muaj që nga vera e kaluar, kur Sarri e Paratiçi e menduan argjentinasin të larguar, por tani gjendja është përmbys.
Dibala ka shënuar 11 gola në 29 ndeshje për Juven, një shifër e madhe duke pasur parasysh që goli në “Stadiumin Alianc” ka për “pronar” Kristiano Ronaldon, plus që është edhe Gonzalo Higuaini. “Ai është numri 10 i Juventusit, – u shpreh Paratiçi, – ai është themelor. E dimë se çfarë vlere ka dhe çfarë përfaqëson ai. Muajt e ardhshëm ne do të bisedojmë me të”. Pra, për tifozët ka edhe lajme të mira, përveç atyre jo gjithnjë shumë të mirë nga fusha e lojës, me Juven që ka humbur dy nga tri ndeshjet e fundit në kampionat, 1-2 në Napoli dhe po 1-2 në Veronë. Kontrata e Dibalës përfundon në 2022.
Sfidanti.al