Nojeri nuk e fsheh: Nuk ka sinjale nga Bajerni për kontratën e re!

Viti 2021 është shumë afër, dhe njëkohësisht është fundi i akordit mes Manuel Nojerit dhe Bajernit të Mynihut. Portieri titullar, kapiteni i bavarezëve dhe i Gjermanisë, mbetet me të ardhme të paqartë, ndërsa fakti që nuk kanë nisur bisedimet për rinovim mund të quhet alarmues. “Nuk ka sinjale, nuk ka asgjë që ne mund ta deklarojmë, – foli Nojeri për “Skaj Sportin” pas barazimit me Lajpcigun, – ne jemi të përqëndruar te lufta për të fituar tituj me Bajernin, dhe nuk dua që të merrem me diçka personale”.

Gjithsesi, lufta për të fituar tituj nuk ndryshon faktin dhe traditën që, në raste të tilla, rinovimi duhej të ishte bërë pa hyrë viti i fundit i kontratës. Pyetja që bëhet në Gjermani është se kush i vonon bisedimet, klubi apo lojtari? Nga “Zebener Shtrase” nuk vjen asnjë sinjal, as për këtë, ndërsa spekullimet janë që të dyja palët do të presin sesi do të paraqitet portieri Aleksandër Nybel që do të vijë nga Shalke tek Bajerni, këtë verë. Vetëm atëherë, vetë Nojeri, por edhe trajneri Flik do të kuptojnë sesi do të jetë situata. “Synimi im që të të vazhdoj të luaj për Bajernin, – thotë Nojeri, – Nybeli vjen këtë verë, ndërsa kontrata ime vazhdon deri në 2021. Besoj se kam mjaft kohë për të folur me ata që merren me këtë punë”.

Sfidanti.al