Di Françesko, mos është vallë “Mesia” i ri për Romën?!

Roma njeh për “Mesia” shumë pak njerëz. Të tillë si trajneri i parë kampion, Shefer apo ylli në fushë Amadei, të tillë si Nils Lidholm, Bruno Konti, Xhanini, për të vazhduar me Totin e De Rosin, nuk mund të jenë të shumtë në historinë romane. Gjithsesi, për momentin është Euzebio Di Françesko heroi i verdhekuqve. Trajneri 48-vjeçar i ardhur nga Sasuolo, po vlerësohet shumë pas fitores 3-0 ndaj Çelsit në Champions, ndërsa në kampionat ka pretendime të paktën për të qenë sërish në Ligën e Kampionëve, pse jo edhe për titull.

“Di Fra”, siç thirret në stilin roman, nuk dëshiron të ndalet me kaq. “Nuk dua të kënaqem, – thotë ai, – ndaj Fiorentinës në Firence na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe duhet të kemi të njëjtën uri për sukses, si ndaj Çelsit”. Ai shfaq dashurinë për ekipin duke thënë “Romën e kam zgjedhur si lojtar dhe si trajner”, ndërsa ka besim të madh tek Edin Xheko. Pavarësisht nga humbjet shtëpiake me Napolin dhe Interin (ku Roma goditi 3 herë shtyllën), Di Fra beson tek një sezon i nivelit shumë të lartë.

Sfidanti.al