Kapiteni është njeriu i adhuruar. Ndoshta jo aq sa Havier Zaneti, por sidoqoftë mbetet tepër i rëndësishëm për golat që shënon. Mauro Ikardi, për fat të keq, pati një pasdite vonë për t’u harruar në “San Siro” në derbin e shtyrë të Interit me Milanin. Luhej të fushë të “kushërinjve” kuqezinj, dhe Ikardi shënoi gol që në pjesën e parë, vetëm për t’iu anuluar më pas nga VAR-i.
Kulmi erdhi në pjesën e dytë kur Ikardi humbi të paktën dy raste për gol, dhe nëse do të kishte shënuar vetëm njërin, Interi do të kishte fituar dhe do të kishte hedhur një tjetër hap të madh drejt kualifikimit për në Champions. Tashmë, pas 30 javësh të Serisë A, zikaltërit e trajnerit Spaleti janë në vend të katërt me 59 pikë, por vetëm 2 pikë larg Lacios së vendit të pestë.
Një spektakël pa fat dha sulmuesi i ri i Milanit, Patrik Kutrone. Ai shënoi me një roveshatë mbi kokë, në një imitim pa vonesë të Kristiano Ronaldos, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje. Skuadra e Gatuzos, pas këtij barazimi, ka shumë më pak shpresa për në Champions sezonin e ardhshëm, duke qenë 6 pikë prapa interistëve.
Sfidanti.al