Një francez mund të jetë trajneri i ri i Interit. Klubi zikaltër duket se është i vendosur t’i japë duart Frank De Burit dhe të nisë një provë të re. Pavarësisht se çfarë do të bëjë holandezi, drejtuesit milanezë pritet që këtë të enjte të vendosin për emrin e pasardhësit dhe ky nuk pritet të jetë Xhani De Biazi, veçse Loran Blanku. Ish-lojtar i Interit në vitet 1999-2001, kur ishte kampion i botës dhe i Europës, Blanku është trajner i lirë që nga qershori.
Ish-trajneri i Paris SG është kontaktuar nga pronarët e rinj kinezë të zikaltërve, lajm që e jep gazeta “Lë Parizien”. Kinezët kanë folur me agjentin e Blankut, Zhan-Pjer Berne, dhe sipas medias franceze, Blank ka deklaruar se “oferta është interesante”. Pronarët interistë presin që fillimisht të ndalohet kriza e rezultateve dhe pastaj të nisë projekti për ta bërë skuadrën të nivelit më të lartë botëror. Si kandidatë për stolin ishin përfolur edhe trajnerë të tjerë, mes të cilëve edhe ai i Shqipërisë, Xhani De Biazi.
Gjithsesi, mediat britanike shkruajnë se Blank ende nuk e ka ndarë mendjen se çfarë të bëjë, pasi ai shpreson që një post edhe më i famshëm të jetë i lirë për të. Pret që Mançester Junajtid të shkarkojë Zhoze Murinjon.
B. Kuka