Zhoze Murinjo është njohur gjithnjë si personalitet imponues, që ka ditur të luftojë beteja psikologjike me kundërshtarët dhe me gjyqtarët. Gjithsesi, jo gjithnjë i ka ecur. Nuk është vetëm rasti i një zv. trajneri kundërshtar që e kërcënoi në “Bernabeu” duke i thënë “bir k…, unë nuk jam Vilanova, të thyej kokën”, duke iu referuar gishtit që “Mou” i futi në sy ish-trajnerit të ndjerë të Barcelonës.
Personazhi tjetër që ia “mblodhi” portugezit është gjyqtar dhe quhet Iturralde Gonzales. Është arbitri i ndeshjes së famshme në “Kamp Nou”, kur Barcelona e mundi 5-0 Realin e Murinjos. Gonzales tregoi një histori interesante lidhur me atë ndeshje, i ftuar në emisonin “Sot për sot” të medias “Kadena Ser”. “Ishin në hotel mëngjesin e asaj dite kur më vjen një koleg dhe më thotë të lexoja gazetën, – kujton ai, – lexova fjalët e Murinjos që thoshte se Barça i kishte punët shumë mirë me gjyqtarët. Aha, thashë me vete, e filluam shumë mirë ndeshjen”.
Në fund të përballjes, Murinjo iu afruar Gonzalesit për t’i kërkuar shpjegime, por arbitri iu afrua, dhe i foli në vesh: “A e di se kush është problemi? Që këtu ka vetëm një gjel, nuk je ti, por unë”. Iturralde tregoi edhe një episod tjetër interesant në “Kamp Nou”, kur ish-kapiteni i Barcelonës, Karles Pujol, u afrua në dhomën e gjyqtarëve dhe kërkoi që të dëgjonin muzikë së bashku.
B. Kuka