CR7 fluturon në Portugali, Kapelo e dhumbon, pritet një “gjyq”!

Lojtarë të tillë është shumë e vështirë t’i mbash në stol, këtë e di kushdo. Një Kristiano Ronaldo i zëvendësuar shpejt, apo i lënë rezervë padyshim mund të quhet një “minë me sahat”, dhe duket se kjo po “kurdiset” tek Juventusi. Pas zëvendësimit të bërë nga Sarri në minutën e 55-të, superylli portugez u largua drejt dushit, pastaj u vesh dhe iku nga stadiumi pa përfunduar ndeshja, ndërsa më pas i dha drejtim që të fluturonte drejt Portugalisë, për t’u qetësuar.

Këto padyshim nuk janë shenja të mira për Juven dhe për Sarrin, sepse Ronaldo është jo vetëm një gjigand në skuadër, por edhe strumbullari i projektit financiar të klubit, të FIAT-it dhe të Ferrarit. Ditët janë të vështira për CR7-ën, por edhe për trajnerin që duhet të sillet si një akrobat cirku. Priten bisedime dhe sqarime në ditët në vijim, por ndërkohë në krah të Sarrit ka dalë një koleg i vjetër, Fabio Kapelo. Ish-trajneri i Milanit dhe Juves ishte kritik ndaj Ronaldos, që sipas tij “ka 3 vjet që nuk driblon dot një kundërshtar” dhe, që “duhet të respektojë shokët e skuadrës edhe kur zëvendësohet”.

Sfidanti.al