CR7 është “i shenjtë” për Juventusin, por Pogba duhet të ulë pretendimet për rrogën!

Për yllin më të shquar të ligës nuk mund të ketë diskutime. Juventusi është gati të plotësojë çdo kërkesë të Kristiano Ronaldos, edhe në periudhën e vështirë të koronavirusit, gjë që nuk mund të thuhet për të tjerët. E pohon drejtori sportiv i klubit torinez, Fabio Paratiçi, në një video intervistë për televizionin “Skaj Sport”, ku foli për gjendjen e rinovimeve te kampionët e Italisë, dhe për përforcimet e mundshme.

“Ronaldo është një lojtar i veçantë, – theksoi Paratiçi, – i cili ndikon në rritjen e të ardhurave të klubit, ndaj nuk ka asnjë problem për rinovimin. Për lojtarët e tjerë do të jetë më e vështirë”. Portugezi merr rrogë mbi 30 milionë euro nga Juventusi, por edhe të ardhura shtesë në bazë të klauzolave dhe kontratave të sponsorizimit brenda klubit. Futbollistët e tjerë mund të jenë të detyruar të kënaqen me më pak, ndonëse Paratiçi thotë se bisedimet po ecin mirë.

Ai theksoi se janë thuajse të kryer rinovimet e kontratave të veteranëve Xhorxhio Kielini dhe Xhanluixhi Bufon. Po ashtu, bisedime janë bërë për yllin e sulmit, Paulo Dibala, por ato u ndërprenë për shkak të koronavirusit, si dhe nga fakti se argjentinasi u prek nga epidemia dhe ende nuk dihet nëse është shëruar plotësisht.

Përsa i përket përforcimeve, flitet se Juventusi kërkon Pol Pogbanë nga Mançester Junajtidin. Paratiçi thekson se pengesa më e madhe për të marrë kampionin e botës është rrota e tij tepër e lartë, që thuhet se është 15 milionë euro në sezon. Për yllin e Francës janë të interesuar edhe Reali i Madridit, Paris SG si dhe edhe Interi.

Sfidanti.al