Ndonjëherë nuk mund të besohet një rezultat kur e lexon herën e parë. Kjo duhet t’i ketë ndodhur shumëkujt kur kanë parë shifrat 3-0 në fund të pjesës së parë mes Xhenoas dhe Juventusit. Ajo ishte e vërteta, dhe përfundimi 3-1 nuk ndryshoi ndonjë gjë të madhe, me Romën që ka shanse të afrohet në -4 me kryesuesen e Serisë A. Ishte një nga ato ditë “jo”, kur gjithçka shkon ters dhe as trajneri, por as lojtarët në fushë nuk munden të ndryshojnë fatin e përballjes. Simeone shënoi dy herë për 13 minuta, dhe pa kaluar shumë erdhi autogoli i Aleks Sandros. Ishte minuta e 29-të, dhe pak besohej se Juventusi mund të ringrihej, pavarësisht emrit që ka.
Nuk ia doli, ndonëse Miralem Pjaniç e shënoi një gol në minutën e 82-të. Një disfatë e rëndë, edhe pse kampionët kanë ende diferencë me ndjekësit dhe mbeten favoritët absolutë për të mbrojtur edhe një herë titullin. Gjithsesi, humbja ngre pikëpyetje pasi vjen pas atyre në Milano, me Interin dhe me Milanin, edhe pse vetëm pak ditë pas fitores së rëndësishme në Sevilje. Ndoshta, juventinët kanë nisur të ndihen të ngopur nga sukseset në Itali dhe po mendojnë pak më shumë për Championsin.