Fitorja ndaj Leverkusenit ishte shumë pozitive, por jo e tillë që të kënaqë një klub të madh si Bajerni. Gjithsesi, trajneri Karlo Ançeloti nuk duhet të jetë ndjerë mirë kur ka lexuar gazetat dhe ka marrë vesh për debatin në distancë mes ish-presidentit Karl-Hajnc Rumenige dhe mbrojtësit kryesor të skuadrës, Zherom Boateng. Rumenige e kritikoi kampionin e botës pas lojës së dobët në Rostov për Ligën e Kampionëve, ku Bajerni pësoi dy gola për faj të tij, më parë për gabimin ndaj iranianit Azmun, dhe pastaj për penalltinë që shkaktoi.
“Zheromi duhet të qetësohet dhe t’i marrë gjërat më shtruar në fushë, – tha Rumenige, – që nga vera e deri tani, më ka mërzitur shumë. Do të ishte mirë për gjithë klubin që ai të kthehej me këmbë në tokë”. Rumenige e pati fjalën për stilin e jetës së mbrojtësit, që është shumë i aktivizuar në rrjetet sociale, dhe me çështje jashtë futbollit. Boateng pranon kritikat për formën, por jo për jetën e tij.
“Nga këto kritika unë thjesht mund të qesh, – thotë ai, – e vërteta është se kam luajtur dobët, por kjo po ndodh sepse kam qenë i dëmtuar dhe nuk jam në 100 për qind të formës. Nuk ka të bëjë fare stili im i jetesës, ata që më njohin e dinë se unë bëj maksimumin për të qenë në formë”.