Arbitrat italianë sërish nën kritikë si ata shqiptarë, nis ndëshkimi!

Njeriu më i akuzuar këto ditë është Fabio Mareska, që drejtoi ndeshjen mes Romës e Milanit në Serinë A. Pritet dënimi i tij me 2 javë pezullim pasi arbitrimi në “Olimpiko” u cilësua i dobët dhe me gabime të shumta. Sipas mediave italiane, drejtuesit e arbitrave janë të pakënaqur sepse ai dha një penallti “të lehtë” (rigorino) në favor të Milanit për kontaktin në zonë mes Ibanjezit dhe Ibrahimoviçit, ndërsa udhëzimet kanë qenë ndryshe. Po ashtu, gaboi në situata të ndryshme duke dhënë 11 kartonë, në 32 faulla gjatë 90 minutave. Nuk dihet nëse do të ketë dënime për njerëzit e VAR-it, por për arbitrat në Itali duket se ka shumë ankesa. Janë gati 40 gabime të gjyqtarëve në 11 javë në Serinë A, të paktën sipas “koleksionit” që krijon “La Gazeta delo Sport”.

Sfidanti.al