A do ta shpëtojë “gjenerali” Gatuzo “ushtarin” Lorenco Insinje?!

Me Karlo Ançelotin dhe me presidentin De Laurentis nuk i pati punët mirë. Lorenco Insinje cilësohet si talenti më i madh i këtij Napoli, dhe “dhurata” më e madhe që klubi jugor mund t’i japë kombëtares italiane, por këtë sezon deri tani e ka për të harruar. Shpesh kapiteni është zëvendësuar, është lënë edhe në stol, ndërsa klasi i tij i lartë nuk po shihet aq sa duhet. Me ardhjen e Xhenaro Gatuzos dhe me ikjen e Ançelotit, ndoshta gjërat mund të ndryshojnë. Trajneri i ri napolitan mendohet ta hedhë si titullar Insinjen në ndeshjen që Napoli do të luajë sot në orën 18:00 ndaj Parmës në “San Paolo”. Gatuzo do të lerë një lojtarë të rëndësishëm në stol, gjithsesi, dhe ky pritet të jetë Mertens. Ish-trajneri i Milanit mund të luajë me skemën 4-3-3, me katërshen e zakonshme në mbrojtje, treshen e mesfushës Fabian Ruiz-Alan-Zielinski dhe me treshen e sulmit Kajehon-Insinje-Milik.

Sfidanti.al