Sauthgejt: Kemi krijuar bazën për fitimin e trofeut në të ardhmen!

Anglia nuk arriti që të kualifikohej në finalen e Kupës së Botës së Rusisë, pasi ajo u eliminua nga Kroacia në shtesën e ndeshjes (2-1). “Albioni krenar”, tani, do të luajë për medaljen e bronzit me Belgjikën (të shtunën) që, në fakt, është një sukses jo i vogël, ndërkohë që trajneri i përfaqësueses angleze, Sauthgejt, thotë se është hedhur baza për suksese të reja të mëdha.
“Momentalisht, ne të gjithë ndjejmë një dhimbje të madhe. Është e vështirë të humbësh në gjysmefinale të një kupe bote, për më tepër të pësosh gol në shtesën e ndeshjes. Ne e kishim shansin që të dilnim në finale, por, për fat të keq, nuk e shfrytëzuam”, deklaroi Sauthgejti, duke vazhduar më tej:
“Megjithatë, unë jam shumë krenar për mënyrën sesi ne luajtëm dhe konstatoj se të njëjtën ndjenjë kanë edhe lojtarët. Ne ishim një nga ekipet më me pak përvojë në këtë kampionat botëror dhe mund të progresojmë vetëm me ndeshje të tilla. E kisha shumë të vështirë që t’i ngushëlloja, sepse ata janë të rinj dhe humbje të tilla ata nuk kishin pësuar më parë me përfaqësuesen. Ky brez i ka ngritur kriteret dhe pritshmëritë. Ne, tani, humbëm në gjysmëfinale, por në të ardhmen këta djem do të synojnë trofeun”, vuri në dukje trajneri anglez.
Sfidanti.al