Mançester Junajtid nuk dëshiron ta lerë rastin t’i shpëtojë nga dora. Zhoze Murinjo ka piketuar lojtarin e duhur në kombëtaren e Anglisë, Harri Megajerin. Pak rëndësi ka që do të duhet të paguhen 50 apo 60 milionë euro tek Leisteri (a nuk dha 80 milionë Çelsi vjet për Moratën?), kryesorja është që mbrojtësi i qendrës me numrin 6 bëri përshtypje të madhe.
Në një farë mënyre, Murinjo po i përgjigjet Pep Guardiolës, i cili ka tek Mançester Siti, qendërmbrojtësin tjetër të Anglisë, Xhon Stouns. Nëse arrin të marrë Megajerin, Junajtid do të jetë një hap më pranë Sitit në luftën për trofe. Trajneri portugez e di mirë se Sauthgejt e ftoi Megajerin në kombëtare për shkak të forcës së tij mendore, diçka që e bën shumë të përshtatshëm për ndeshje të presionit të madh, si ato që luan Mançester Junajtidi.
Sfidanti.al