Sadiku vazhdon shkëlqimin në Spanjë, por ende nuk vlen për kombëtaren!

Nuk dihet mirë se përse nuk e përfillin. Kur një lojtar shënon 5 gola në Spanjë, qoftë edhe në Ligën e dytë, ai është padyshim i rëndësishëm dhe mund të konsiderohet për kombëtaren, aq më shumë kur ky është Armando Sadiku. Sulmuesi 31-vjeçar goditi në shenjë ndërsa Kartagjena fitoi 2-0 ndaj Ibisës. Ai shënoi 7 minuta para fundit duke vulosur fitoren. Futbollisti ka 5 rrjeta në 11 ndeshje në kampionat, duke qenë në formë shumë të mirë, ndërsa ekipi i tij është në vendin e katërt duke pretenduar ngjitjen në La Ligë. Myrto Uzuni këtë herë nuk e përsëriti dot veten. Pasi shënoi 2 herë katër ditë më parë, sulmuesi i kombëtares shqiptare e pati të pamundur që të ndikonte në përballjen që Granada e humbi 0-2 në fushën e Tenerifes. Për shkak të lodhjes, ai u zëvendësua në pjesën e dytë.

Në Serinë A, Kristjan Asllanit iu dha sërish mundësia nga trajnerit Simone Inzagi, edhe pse sërish në 20 minutat e fundit. Lojtari kuqezi u aktivizua në 72’ në vend të Mkitarianit në fitoren 2-0 ndaj Salernitanës në “San Siro” për Serinë A, duke dhënë kontributin e tij në mesfushë dhe në ekzekutimin e goditjeve nga këndi. Duke mbetur në Serinë A, kapiteni i dytë i kombëtares Elseid Hysaj ishte në stol në barazimin 0-0 të Lacios me Udinezen në kryeqytet, ndërsa mbrojtësi tjetër kuqezi, Berat Gjimshiti u kthye gjithashtu në stol që nga dëmtimi, për Atalantën që mundi 2-1 Sasuolon. Në Angli, Anis Mehmeti shënoi sërish në ligën e parë, në fitoren 3-1 të Uajombit ndaj Piterborout. Ish-mesfushori i Shpresave realizoi golin e fundit të ndeshjes në minutën e 5-të shtesë.

Sfidanti.al