Roberto Karlos trazon ujin: “Kam mashtruar te goli  kundër Francës”!

Një nga golat më të mrekullueshëm në historinë e futbollit e ka shënuar futbollisti i Brazilit, Roberto Karlos, në ndeshjen me Francën, para 20 vitesh, pasi ai ekzekutoi një goditje të lirë nga distanca, një gol që ka hyrë, tanimë, në analet e historisë së futbolli botëror, pasi topi mori një trajektore të pazakontë, duke kaluar barrikadën dhe duke përfunduar në rrjetë, në të majtë të portierit të famshëm francez, Fabian Bartez. Brazili fitoi të drejtën e ekzekutimit të një goditjeje të lirë nga rreth 35 metra dhe, kështu, në “murin” e barrikadës u vendoën katër futbollistë francezë, ndërkohë që në portë ndodhej portieri i  jashtëzakonshëm, Bartez, por Roberto Karlosi, pasi mori vrullin e tij karakteristik nga rreth 10 metra nga barrikada, gati pranë rrethit të qendrës së fushës, e goditi topin fort më të majtën dhe ajo që ndodhi, përfunfoi në histori!

“Ai ishte një gol i mrekullueshëm dhe realizimi i tij kërkoi shumë seanca stërvitore, por gjithçka u shpërblye, duke qenë se unë shënova dhe hyra në histori. Asnjëherë, nuk arrita që ta përsëris atë gol, sepse e dija se ishte diçka shumë e vështirë. Ndoshta, dikush, në të ardhmen, mund të arrijë. Unë kam kënaqësinë se isha i pari”, deklaronte, vit mbas viti, Roberto Karlos, krenar për kryeveprën e tij. Shumë specialistë u përpoqen që ta shpjegonin këtë gol, pasi topi ndoqi një trajektore shumë të panatyrshme. Madje, në lojë hynë edhe fizikanët që zhvilluan teori nga më të ndryshme. Kurse, më në fund, tani, u prononcua vetë Roberto Karlosi që i tha gazetës prestigjioze franceze, “Ekip”, të vërtetën e madhe se “topi u gjuajt nga një distancë e  largët dhe era që fryu në atë moment të ndeshjes, e çoi topin në rrjetë!” Ky është shpjegimi i thjeshtë këtij goli fantastik.

Sfidanti.al