Futbollisti kontravers italian, Mario Baloteli, ka shumë mundësi që të luajë, sezonin e ardhshëm, në Bundesligë. Kështu, mbas kalços italiane, Premier Ligës angleze dhe kampionatit francez, pritet që Baloteli të bëhet futbollist i ri i Borusias së Dortmundit, pra, të kalojë në Bundesligën gjermane. Ky nuk është “fake news” (lajm i rremë), por një lajm i vërtetë, pasi atë e njoftoi agjenti i tij, një figurë tjetër kontraverse e njohur, Mino Raiola, që tha:
“Po, Mario, sezonin tjetër, do të luajë me Borusian e Dortmundit”. Sidoqoftë, mediumet, duke e njohur mirë këtë agjent problematik, ia marrin me rezerva ato që thotë ai. Mario Baloteli, aktualisht, është lojtar i lirë, pasi atij i mbaroi kontrata njëvjeçare me klubin francez, Nisa, ndërkohë që, për të, ka shfaqur interesim Olimpiku i Marsejës.
Sfidanti.al