Pse Lukaku ia ndalon vetes të krahasojë Murinjon me Solskjaerin?

Në ndeshjen e fundit që Mançester Junajtidi e fitoi 1-3 ndaj Arsenalit, Romelu Lukaku nuk shënoi asnjë gol, por dha dy asiste goli të shkëlqyer. Këtij sulmuesi belg iu dha mundësia që të luante në formacionin e parë në ketë ndeshje të Kupës së Anglisë gjë që ka disa kohë që nuk ndodh, kur është fjala për ndeshjet e Premier Ligës, duke qenë se trajneri i ri, Ole Solskjer, u jep më shumë përparësi Rashfordit dhe Marsialit.
Duhet të theksohet se Lukaku është i vetmi lojtar i Junajtidit që refuzon të bëjë krahasime mes trajnerit të mësparshëm, Murinjos, dhe trajnerit të ri, Solskjer, duke treguar kështu se ai ruan një mendim të mirë për trajnerin portugez.
“Të gjithë duan që unë të bëj krahasim mes këtyre dy trajnerëve, por unë nuk kam ndërmend që ta bëj këtë. Murinjo ka bërë shumë për këtë klub, i ka sjellë atij trofe dhe unë kam respekt për të, për më tepër që ishte ai që më solli te Junajtidi”, deklaroi Lukaku, duke shtuar se, sa i përket trajnerit të ri, Solskjer, ai ka nisur historinë e tij në këtë klub. “Shpresoj që ai të vazhdojë, ashtu si filloi dhe ne të zemë të paktën vendin e 4-të në Premier Ligë dhe të fitojë ndonjë trofe”, tha Lukaku.
Sfidanti.al