Nga e gjithë bota, i erdhën urimet nga zemra për 41-vjetorin. Xhanluixhi Bufon, padyshim, nuk është në maksimumin e formës së tij, por mbetet i jashtëzakonshëm në nivel për moshën tepër të madhe, edhe për një portier. “Xhixhi” e nisi karrierën në 1995, shkëlqeu me Parmën dhe fitoi gjithçka me Juventusin, edhe pse jo Championsin. Ndoshta, mund t’ia dalë me Paris SG.
Me Italinë arriti triumfin më të madh të karrierës, duke fituar Kupën e Botës në Gjermani në 2006, ndërsa sot vazhdon të konkurrojë më të rinjtë me PSG-në në ligën franceze. Disa lojtarë të ekipit nuk kishin lindur ende kur ai nisi karrierën, si p.sh., Kilian Mbape, që është sot vetëm 20 vjeç.
Ku e ka vendin Bufoni në renditjen e portierëve më të mëdhenj të historisë? Natyrisht, porta ka pasur “roje” të shkëlqyera, që nga Zamora apo Planiçka në vitet 30-të, Lev Jashini e Gordon Benksi në vitet 60-të, Zep Majeri në vitet 70-të, Dino Xofi, Dasajevi, Shiltoni, Kasijasi, Van der Sari apo Peter Shmajkeli.
Bufoni ka ende vite përpara për të mbërritur rekordin e Shiltonit që luajti deri në moshën 47-vjeçare, dhe ishte në Botëror si 40-vjeçar. Dino Xofi doli kampion bote 40 vjeç, ndërsa egjiptiani El Hadari mori pjesë në Botëror si 46-vjeçar. Bufoni cilësohet gjerësisht si portieri më i mirë i shekullit të 21-të, dhe ndoshta do të ketë krahasime me “macen e zezë”, apo “merimangën e zezë”, Lev Jashinin, portierin më të mirë të shekullit të 20-të.
Sfidanti.al