Koha e “gjyqit” të Spaletit, Interi mendon Murinjon e Konten

Është cilësuar si tepër simpatik, si i suksesshëm, i dashuruar me futbollin e bukur, si dhe një “prift fitues”, por vjen momenti që komplimentat nuk shkojnë. Luçiano Spaleti është edhe ai pjesë e “gjyqit” të madh tek Interi, me drejtuesit që po mendohen mirë për të ardhmen. Presidenti Çang dhe drejtori i ri, Marota, e dinë se Spaleti ka probleme me skuadrën, ka Perishiçin që dëshiron të ikë, Naingolanin jo në formë, Politanon të dëmtuar, dhe kapitenin Ikardi prej 5 ndeshjesh që nuk shënon.

Gjithsesi, tek Interi është shpenzuar për të fituar, pra mendojnë se ka disa alternativa, ndërsa trajneri duhet të ketë forcën bindëse dhe nivelin profesional për të bindur, dhe për të krijuar skuadrën fituese. Kjo nuk po ndodh, dhe ish-tekniku i Romës e i Zeniti të Shën Peterburgut, ndodhet në moment delikat.

Kontrata deri në 2021 nuk mund të jetë garanci në futbollin e sotëm, ndërsa mediat italiane shkruajnë se zikaltërit po mendojnë përsëri për Zhoze Murinjon dhe për Antonio Konten. i pari arriti sukses të madh në 2008-2010, ndërsa Konte vlerësohet trajner tipik për Serinë A, tepër energjik, me zotësi profesionale dhe me përvojë.

Sfidanti.al