Mund të jetë i palumtur në Francë, i pakënaqur me nivelin e ligës franceze, dhe me klimën e Parisit, por ky i Nejmarit duket një rast nga ata “që t’i bën koka”. Ishte mirë e bukur në “Kamp Nou” dhe “tahmaja” e madhe duket se po e lë pa gjë. Ku shkuan ëndrrat për Championsin me PSG-në, për Topin e Artë personal dhe për Kupën e Botës me Brazilin.
Përveçse po i përsëritet fatkeqësia e vitit të kaluar, me dëmtimin që mund ta lerë jashtë fushe edhe në muajin mars, Nejmarit i janë shfaqur probleme me mesazhet e tij, që thuhet se drejtuesit e Barçës ia treguan De Jongut për ta bindur që të mos shkonte tek Paris SG, por të vinte në “Kamp Nou”. Nejmar ishte i mjaftueshëm për të bindur De Jongun, por nuk duket se do të jetë në gjendje për të bindur Barcelonën për ta marrë.
Jo se katalanasit nuk do ta donin, por sepse fatura e shpenzimeve të tyre, që pas largimit të brazilianit, ka shkuar në 619 milionë euro. Plot 86 milionë u dhanë për De Jongun, ndërsa shifrat e çmendura për Kutinjon dhe Dembelenë dihen nga të gjithë. Kjo e bën shumë pak të mundshme që klubi i presidentit Bartomeu të marrë përsipër një rrezik kaq të madh, aq më tepër me rregullat e UEFA-s për Lojën e Ndershme Financiare.
Shpresa tjetër e Nejmarit është që Reali të investojë tek ai për ta pasur si pasardhësin e Kristiano Ronaldos, por as kjo nuk është e sigurt. Madridi mund të ketë para për të shpenzuar, por kohët e fundit ka nisur të ngrihet lart ylli i Kilian Mbapesë, dhe mund të jetë pikërisht francezi CR7-ta i dytë.
Sfidanti.al