Xhenaro Gatuzo nuk ishte plotësisht i kënaqur nga performanca e Milanit në ndeshjen e fundit me Napolin (0-0), duke vënë në dukje se sulmuesit e tij nuk tregohen shumë të rrezikshëm në një të tretën e fundit të fushës së lojës, pra para portës kundërshtare. Në një deklaratë që ai bëri mbas ndeshjes, Rino, sikurse i thonë ndryshe Gatuzos, vuri në dukje se ata po punojmë më ngulm në stërvitje që ta eliminojnë këtë problem, ndërkohë që komentoi edhe debutimin e futbollistit polak Krishtof Pjontek që luajti 20 minutat e fundit të ndeshjes, pasi zëvendësoi Kutronen.
Shumëkush bëri pyetjen se përse Gatuzo nuk i la të dy lojtarët e mësipërm që të luanin bashkë në të njëjtën kohë.
“Ndoshta, në të ardhmen ata do të mund të luajnë së bashku, por momentalisht jo. Nuk dua që të luaj me katër lojtarë në mesfushë, sepse rrezikojmë të krijojmë hapësira mes pozicioneve. Tani për tani, ata të dy nuk do të mund të luajnë bashkë në të njëjtën kohë, sepse, duke luajtur me dy sulmues, ne do të mund të prishnim ekuilibrin e të gjithë ekipit”, deklaroi Gatuzo.
Sfidanti.al