Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, është kundër zhvillimit të ndeshjeve të kampionatit spanjoll në SHBA. Në fakt, projektit në fjalë po i jepet dora e fundit dhe parashihet që ndeshja e parë e La Ligës në territorin e SHBA-së të zhvillohet mes Xhironës dhe Barcelonës, janarin e ardhshëm. Sidoqoftë, Infantino është kundër:
“Kur shkoi në stadium në SHBA, unë dua të shoh ndeshje të MLS-së (kampionati kryesor amerikan) dhe jo të shoh ndeshje të La Ligës spanjolle në SHBA. Sipas parimit të përgjithshëm të futbollit, ndeshjet e një kampionati kombëtar luhen në fushat e veta dhe jo diku jashtë”, deklaroi Infantino që ndodhet aktualisht në SHBA.
Presidenti i La Ligës, Havier Tebas, si nismëtari kryesor i idesë që ndeshjet e kampionatit spanjoll të zhvillohen edhe në SHBA, iu përgjigj menjëherë Infantinos: “Do të doja ta kujtoja presidentin e FIFA-s se në MLS konkurrojnë tre ekipe nga Kanadaja dhe kampioni aktual i kampionatit amerikan është Toronto, megjithëse në Kanada ka ligë profesioniste”, deklaroi Tebasi.
Sfidanti.al