Tirana humb të tjera pjesë para sfidës me Vllazninë

“Klasikja e Shqipërisë”, Tirana-Vllaznia, luan në fundjavë aktin e dytë për këtë sezon. Sfida zhvillohet të shtunën në kryeqytet. Dy skuadrat vijnë në këtë ndeshje në situata të vështira. Vllaznia nuk fiton prej 5 javësh, ndërsa Tirana po kalon një krizë të thellë, me vetëm 1 fitore në 16 javë kampionat. Shkodranët nisen favoritë në këtë ndeshje, edhe pse luajnë në fushën e bardhebluve.

Përveç revolucionit që ka nisur klubi kryeqytetas, me disa lojtarë të larguar dhe të tjerë në proces largimi, trajnerit Ardian Nuhiu i është rritur shkalla e vështirësisë, pasi ka humbur edhe dy titullarë. Ndong dhe Tabekou nuk do të jenë të gatshëm kundër Vllaznisë.

Mbrojtësi i majtë është angazhuar me kombëtaren e Guinesë Ekuatoriale në Kupën e Afrikës. Sulmuesi Tabekou ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë dhe është i skualifikuar për javën e 17-të. Dy mungesa me peshë për trajnerin Nuhiu, i cili duhet të modifikojë formacionin, por nuk ka shumë alternativa. Tirana me siguri do të grumbullojë lojtarë nga ekipi i të rinjve për t’i pasur në stol të shtunën.

sfidanti.al