Kandidati për president i Barcelonës premton rikthimin e Messit

Marc Ciria, kandidati për president të Barcelonës, ka premtuar se do të bëjë çdo gjë të mundshme për të rikthyer Lionel Messin te klubi katalanas.

Ciria prezantoi zyrtarisht platformën e tij elektorale, ‘Moviment 42’, gjatë një eventi në Sala Bikini të Barcelonës, ku morën pjesë rreth 700 vetë. Ai theksoi se zgjedhjet për president të klubit do të mbahen vitin e ardhshëm, ku Joan Laporta do të kandidojë për një mandat të ri, ndërsa janë shfaqur edhe disa kandidatë të tjerë. Gjatë një seance pyetje-përgjigje, Ciria u pyet për rolin e Messit, për shkak të spekulimeve mbi përfshirjen e tij në zgjedhje. Ai u shpreh:

“Ne e kemi thënë që në 2021 se ai ishte ura më e mirë ndërgjeneracionale në aspektin sportiv dhe një motor ekonomik. Na nevojitet Leo Messi dhe do të bëjmë gjithçka të mundur për ta rikthyer.” Ciria deklaroi se kandidimi i tij lidhet me shqetësimet për modelin aktual të pronësisë së klubit, duke theksuar se bordi aktual e ka çuar Barcelonën drejt “borxhit më të lartë në botë” ndër klubet sportive. Ai premtoi një rol më të madh për anëtarët e klubit, të cilët i cilësoi si “pronarët legjitimë të klubit”, ndërsa kritikoi menaxhimin aktual si “të vjetruar”. Ky qëndrim ka sjellë vëmendje të madhe në mediet sportive, pasi rikthimi i Messit te Barcelona mbetet një ëndërr e tifozëve katalanas, dhe kandidati Ciria po e vendos këtë si një nga prioritetet kryesore të tij.

sfidanti.al