Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, në konferencën e shtypit para ndeshjes me Uatfordin (të shtunën), veç asaj se atij do t’i duhet që të luajë pa mbrojtësin Shkodran Mustafi që është dëmtuar dhe që do të mungojë 4-6 javë, foli edhe për situatën rreth mesfushorit Mesut Ozil dhe sulmuesit Aleksis Sançez. Ai vuri në dukje se po mendonte që t’i shiste në janar këta dy lojtarë që, në fakt, janë të rëndësishëm për “topçinjtë”, por që, sidoqoftë, duan vetë që të ndërrojnë mjedis.
Lidhur me atë sesi do të reflektohet tek ekipi i tij eliminimi i Kilit dhe i Uellsit nga Kupa e Botës, duke qenë se dy lojtarët kryesorë të përfaqësueseve të këtyre dy vendeve janë edhe lojtarë kryesorë të Arsenalit, Aleksis Sançez dhe Aron Remzi, trajneri francez tha se ai do të bisedonte me këtë dy lojtarë, sidomos, me Sançezin, që e ka ndjerë më shumë eliminmin e ekipit të tij nga Botërori. “Sançezi dhe Remzi janë fitues të lindur dhe i përjetojnë keq humbjet, por tani që nuk do të luajnë në Botëror, ata duhet të përqëndrohen plotësisht te futbolli i klubit të tyre”, vuri në dukje Vengeri.
Sfidanti.al