Sulmuesi legjendar i Arsenalit, Tieri Anri, mjaft i pakënaqur nga loja që zhvilluan “topçinjtë” në ndeshjen e fundit me Totenhemin që ky i fundit e fitoi 2-0, e kritikoi strategun francez, Arsen Venger, duke e cilësuar atë që luajtën lojtarët e tij në fushë, antifutboll! Ish-përfaqësuesi i Francës (Anri) vë në dukje se Arsenali, duke u mundur nga Totenhemi, la që t’i ikë rasti të afrohej deri te vendi i katërt në Premier Ligë që mundëson pjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve të Evropës.
“Arsenali humbi disa shanse në këtë ndeshjen e fundit, por ajo që më shqetëson më shumë mua, është mënyra sesi luan ky ekip, pasi ai nuk mbrohet ashtu si duhet dhe ky është antifutboll. Në pjesën e parë, unë pashë sesi portieri Petr Ceh përpiqej që t’ia hidhte topin, në disa raste, sulmuesit Olivie Zhiru. Nuk mund të luhet, gjatë të gjithë kohës, me tre lojtarë në vijën e fundit dhe të presësh që kjo të funksionojë mirë në tri nga katër ndeshjet e fundit”, tha Anri. Arsenali, mbas humbjes së fundit, mbeti me 60 pikë dhe ndodhet në vendin e gjashtë, gjashtë pikë mbrapa Mançester Sitit të vendit të katërt.
Sfidanti.al