Tek Junajtidi janë mjaft të kënaqur, por statistikat janë të pamëshirshme!

Romelu Lukaku, si një përforcim i madh, pasi mbërriti në “Old Trafford”, brenda një kohe të shkurtër, u bë beniamimi kryesor i tifozëvë të “djajve të kuq”. Ai e shfrytëzoi mjaft mirë mungesën e Zllatan Ibrahimoviçit, duke u shndërruar në sulmuesin nr.1 të Junajtidit. Por, sidoqoftë, ai ka një problem, madje, jo të vogël: ai shënon shumë pak gola në ndeshje të rëndësishme, kështu që shumë kush thotë se Lukaku nuk është për ndeshje derbi! Por, a është kështu? Ka disa kohë që po zhvillohet një polemikë rreth genit kampion të këtij sulmuesi belg, pra, nëse e ka apo jo atë dhe ndeshja e fundit me Liverpulin nuk “foli” në favorin e tij. Ndoshta, ai nuk shënoi dot gol ndaj Liverpulit, për shkak të lojës “bunker” të Murinjos, por, sidoqoftë, ai ka shënuar shumë pak gola në ndeshjet derbi.

Anglezëve, në këtë rast, u shkon mendje te krahasimi me Xhejmi Vardin që erdhi te Lesteri, pasi ky i fundit pagoi për të 1,5 milionë euro qesharake, kurse futbollisti belg, Lukaku, gjatë kësaj vere, erdhi nga “Gudison Parku”, pasi për të klubi mançesteras pagoi 85 milionë euro të mëdha! Por, megjithatë, statistikat tregojnë se në ndeshjet derbi ndryshimi mes dy lojtarëve të mësipërm është drastik. Të dhënat tregojnë se, gjatë tre viteve të fundit, sulmuesi i Lesterit, Vardi, ka shënuar 19 gola në ndeshjet derbi, duke luajtur me një ekip shumë më të dobët sesa Junajtidi, madje, edhe sesa Evertoni, ku ka luajtur Lukaku para se të vinte sivjet në “Old Trafford”, kurse sulmuesi belg – vetëm pesë gola!

Kështu, tani, tifozët e Junajtidit, me të drejtë, thonë të habitur se Murinjo ka paguar afro 100 milionë euro për një sulmues që u bënë gola vetëm ekipeve të dobët!

Sfidanti.al