Të vonuara, por plot me helm: “Nuk dua të fitoj si Ramosi”

Trajneri gjerman i Liverpulit, Jyrgen Klop, iu kthye edhe njëherë tjetër ndeshjes finale të Ligës së Kampioneve të fundit, duke treguar se ende nuk janë shuar pasionet mbas finales së Kievit, sidomos sa i përket momentit, kur si pasojë e një ndërhyrjeje brutale të kapitenit të Realit, Serhio Ramos, u dëmtua seriozisht dhe doli jashtë fushës një nga lojtarët më të mirë të “të kuqve”, egjiptiani Mohamed Salah, që e mbylli kështu para kohë pjesëmarrjen e tij në finalen e Ligës së lartpërmendur.
“Unë jam kundër mendimit të Ramosit se ndeshja duhet të fitohet me çdo kusht. Ndoshta, faulli ka qenë i rastësishëm, por, sidoqoftë, Salahu u detyrua që të largohej nga ndeshja pa filluar mirë ajo, ndërkohë që ai ishte në kulmin e formës së tij. Kjo nuk është e drejtë”, tha Klopi.
Reali i Madridit e fitoi finalen e Ligës së Kampioneve të sezonit të kaluar, por shumëkush konsideron se dëmtimi i Salahut e la Liverpulin pa titull.
Sfidanti.al