Solskjeri deshi 12 gola, por Geri Nevil nuk beson tek Mançester Junajtidi!

Liverpuli kryeson, por historia e re e futbollit anglez vjen nga “Old Trafordi”. Mançester Junajtidi është bërë lajm, ashtu si fitorja 6-2 ndaj Lidsit në duelin e parë në Premier Ligë të dy skuadrave që nga viti 2004. Trajneri Ole Gunar Solskjer ishte shumë i lumtur për paraqitjen e lojtarëve të tij, dhe rezultati iu duk pak.

“Mund të kishte përfunduar 12-4, – tha Solskjeri, – e tillë ishte ndeshja. Ishte fanastike që nga minuta e parë deri në të fundit, ne kishim plan të bënim presion, të sulmonim. Mektominai shënoi dy gola në 3 minuta. Imagjinoni sikur të kishim pasur stadiumin plot me 75 000 tifozë se çfarë atmosfere do të kishte qenë. Lojtarët luftuan fort deri në fund, u desh të vraponin shumë për të fituar”.

Gjithsesi, një nga legjendat e kohës së Sër Aleks Fergusonit, Geri Nevil, nuk është i bindur se Junajtidi mund të jetë pretendent serioz për trofeun maksimal. “Paraqitjet gjatë këtij sezoni shpesh kanë qenë të tmerrshme, të frikshme, – u shpreh ai, – është një shaka e madhe që ata janë në atë pozicion që janë (në vend të tretë në Premier), dhe duket qartë se diçka nuk shkon siç duhet”. Gjithsesi, do të jenë ndeshjet e ardhshme që do të tregojnë nëse vërtet Junajtidi e ka lënë pas periudhën e keqe, dhe ka kthyer faqen për mbarë.

Sfidanti.al