Solskjeri: Ah, sikur ta kisha Roi Kinin në krah të Pol Pogbasë!

Pyetjet ishin të lehta për t’u bërë, por tepër të vështira për t’iu përgjigjur. Së pari, Ole Gunar Solskjer, trajneri i Mançester Junajtidit, u pyet se cili lojtar i epokës së tij do të bënte më shumë punë në ekipin e sotëm, sidomos në krah të Pol Pogbasë. Edhe pse, ai e ka një personalitet të fortë si Bruno Fernandesi, sërish norvegjezi e gjeti përgjigjen.

“Njeriu që do të bënte më shumë punë, – u shpreh ai, – do të ishte Roi Kin. Nëse do të zgjidhja njërin, do të thoja Roin për influencën që kishte në ekip me personalitetin e tij”. Një tip si Kini do ta nxiste “me shkop në dorë”, Pol Pogbanë që të jepte gjithnjë maksimumin, dhe kjo do të kishte qenë maksimumi për “djajtë e kuq”. Gjithsesi, Solskjeri pranon se do të donte të merrte edhe një lojtar tjetër nga të “asaj kohe”, dhe ky do të ishte një tjetër mesfushor, Pol Skoulls.

Anglezi u vlerësua atëherë nga Ksavi Hernandez i Barcelonës, si organizatori më i mirë i botës, ndërsa Solskjeri shtoi se “e di se zgjedhja ime për Polin mund të quhet e padrejtë përsa i përket Kristiano Ronaldos, për atë që përfaqëson ai”. Gjithsesi, trajneri nuk e përmendi legjendën tjetër, Rajan Gigsin, apo edhe Dejvid Bekamin.

Sfidanti.al