Shaqiri tek Liverpuli: U ktheva në majë të futbollit!

Transferimi u krye madje ai do të ketë fanelën e preferuar tek Zvicra, atë me numrin 23. Xherdan Shaqiri kaloi vizitën mjekësore tek Liverpuli dhe firmosi një kontratë 5-vjeçare, pasi Jurgen Klopi pagoi 13.75 milionë paund stërlina tek Stouk Siti, sot në kategorinë e dytë.

“Çdo lojtar dëshiron të jetë në nivelin më të lartë të futbollit, – u shpreh shqiptari i Zvicrës më pas, – doja të vija këtu edhe disa vjet më parë, por nuk ndodhi. Jam i lumtur, sepse dua të jem mes më të mirëve dhe të fitoj tituj”. Shaqiri, me të vërtetë, u kthye në skenën e madhe të futbollit, aty ku ishte me Bajernin, dhe shpresohet që këtë herë të jetë më i përgatitur për t’ia dalë.

“Kur ke mundësi të marrësh dikë si ai, duhet të veprohet shpejt nëse ke zgjuarsi, – tha Klopi, – ne bëmë pikërisht kështu. Ai ka talentin, edhe arrogancën në nivelin e duhur, ka trimërinë të kërkojë topin dhe të ndikojë në lojë”.

Sfidanti.al