Sançon, Dembelenë apo Kiezën, kë sulmues do Mançester Junajtidi?!

Objektivi i parë i klubit është në Dortmund, është anglez, dhe vetëm 20 vjeç. Ka shumë të mira, por çmimi i kartonit të tij, shprehur në monedhë britanike, arrin në 100 milionë paundë stërlina. Janë shumë edhe për Mançester Junajtidin, edhe për një talent si Xhejdën Sanço, sepse futbolli po përballet me krizën e shkaktuar nga koronavirusi.

Trajneri Ole Gunar Solskjer po mendon alternativat, nëse nuk i dalin llogaritë me Sançon, dhe një afrim i mundshëm do të ishte një tjetër (ish) lojtar i Dortmundit, Usman Dembele. Francezi është pjesë e Barcelonës, por ka qenë një problem për katalanasit me dëmtimet dhe sjelljen e tij. Solskjeri mund të aplikojë në “Kamp Nou”, nëse çmimi për Dembelenë do të ishte më i ulët, ndoshat 60-70 milionë euro, ndonëse Barcelona e mori shtrenjtë, rreth 105 milionë euro.

Mundësia tjetër është në Itali, Federiko Kieza i Fiorentinës. Mediat britanike shkruajnë se Junajtid mund t’ia dalë me një ofertë prej 50 milionë paundësh stërlina, diçka e përballueshme për ta, veçse duhet të bindet sulmuesi, i cili ka shprehur dëshirën për të mbetur në Serinë A, dhe ku Juventusi apo Interi jepen si favoritët për ta marrë.

Sfidanti.al