Sançez përshëndet me dy asiste, bëhet gati për Totenhemin

Aleksis Sançez u zgjodh ta bënte debutimin e tij për Mançester Junajtidin në një stadium “fshati”, si për t’i kujtuar se me Zhoze Murinjon nuk ka të privilegjuar. Lojtari me rrogën më të lartë në Premier Ligë ishte në fushë për 70 minuta duke “përshëndetur” këdo me fanelën e tij të re, duke shërbyer dy asiste në ndeshjen në fushën e Jeovilit për Kupën e Anglisë. Falë tij shënuan Rashford dhe Herrera, ndërsa në pjesën e dytë autorët ishin Lingard e Lukaku.

Besohet se Murinjo e aktivizoi blerjen e tij të re për t’i dhënë pak ritëm, pas pushimit thuajse gjatë gjithë janarit. Trajneri portugez kërkon që Sançez të jetë gati për përballjen shumë të vështirë ndaj Totenhemit në kampionat në mesjavë. Junajtid luajti me shumë rezerva, sidomos që nga porta e pastaj në mbrojtje e në mesfushë. Titullarë ishin gjithsesi Mata e Rashford, ndërsa si zëvendësues hynë Lukaku apo Lingard.

Sfidanti.al