Kristiano Ronaldo ka biseduar disa herë më presidentin e Realit, Florentino Perez, duke i kërkuar atij që të sjellë në ekip portierin aktual të Mançester Junajtidit, David de Gea. Portieri i Junajtidit dhe i përfaqësueses spanjolle, para dy vitesh, nënshkroi kontratë me Realin, por transferimi i tij nuk u realizua, duke qenë se të dy klubet e arritën marrëveshjen përkatëse pak minuta mbas skadimit të afatit të transferimeve!
Më vonë, Junajtidi hoqi dorë nga shitja e De Geas, kurse Reali vazhdon që të kërkojë një portier klasi, duke konsideruar se Kejlor Navasi, pavarësisht se ndodhet në formë të mirë, akoma nuk e ka fituar besimin e plotë të drejtuesve të klubit “mbretëror”, ku janë të mendimit se në portën e Realit duhet të qëndrojë një portier yll më i madh sesa Navasi.
Ndoshta, një nga arsyet që Kristiano Ronaldo e kërkon De Gean si bashkëlojtar, veç cilësive të tij të jashtëzakonshme si portier, është se ata kanë të njëjtin menaxher, portugezin Zhorge Mendesh.
Sfidanti.al