Pep Guardiola i bëri gazetarët të qeshnin me gjithë zemër me batutën që tha për Kevin De Brujnin. “Ai është më i miri futbollist në Europë, me përjashtim të njërit”, ishin fjalët e trajnerit të Mançester Sitit, duke nënkuptuar qartë Lionel Mesin. Me siguri, mesfushori sulmues belg i ka dëgjuar vlerësimet e trajnerit të tij dhe do t’i marrë për bazë në bisedimet për kontratën e tij të re që pritet të nisin këta muaj. Mediat britanike shkruajnë se De Brujn do të ketë si bazë të kërkesave të tij financiare, rrogën prej 560 mijë eurosh në javë që merr Nejmari tek Paris SG.
Nuk dihet nëse Siti do të pranojë këtë rritje astronomike (aktualisht, De Brujn fiton 130 mijë euro në javë), por Guardiola ka theksuar se klubi duhet të nisë sa më shpejt bisedimet me atë që e konsideron si lojtarin e tij më të mirë. Belgu ka akord me Sitin deri në 2021, por Guardiola dëshiron të mos ketë të papritura. Besohet se oferta e drejtuesve do të jetë në nivelin e 250-300 mijë eurove në javë.
Sfidanti.al