Ole Gunar Solskjer me siguri është duke i rënë kokës me grushte që e aktivizoi në Kupë, ndonëse Mançester Junajtidi pati nevojë për të. Markush Rashford vërtet mori pjesë në aksionin e golit që solli fitoren ndaj Uolvesit, pra edhe kualifikimin, por ai u dëmtua pas vetëm 16 minutash dhe tani është në dyshim për një ndeshje-kyç, si ajo në Premier Ligë në fushën e Liverpulit. “Ai nuk ishte në gjendje të vraponte, – deklaroi trajneri i “djajve të kuq”, – do t’i bëjmë vizitat dhe të shohim për të dielën”. Rashford është në dyshim të madh, dhe ky është lajm i keq për Junajtidin.
Siç thotë ish-mesfushori i “Old Trafordit”, Pol Ins, “skuadra po bëhet shumë e varur prej tij, kjo kuptohet kur sheh se ka luajtur 200 ndeshje në një moshë kaq të re”. Pra, Solskjer ka nevojë për të paktën një sulmues tjetër të rëndësishëm që të zëvendësojë Rashfordin, kur ky nuk ka mundësi të luajë. Dëmtimi ndaj Uolvesit mund të ketë qenë edhe për shkak të mbilodhjes, pasi 21-vjeçari ka luajtur në 13 ndeshje, ka qenë titullar në 13 prej tyre, duke shënuar 9 gola qw nga fillimi I dhjetorit, ndërsa ka 22 gola gjithsej për Junajtidin dhe Anglinë që nga nisja e sezonit.
Sfidanti.al