Rangnik, lavde Ronaldos pas golit, por Kristiano nuk duket i lumtur!

Nuk ka shënuar aspak siç ka bërë në të kaluarën, madje as sa kur ishte tek Juventusi së fundmi. Kristiano Ronaldo nuk mund të ngopet “me lugë bosh”, edhe pse shënoi një gol shumë të bukur dhe vendimtar për Mançester Junajtidin, që siguroi fitoren ndaj Brajtonit në Premier Ligë. Për momentin, “djajtë e kuq” janë në zonën Champions, ndërsa trajneri Ralf Rangnik pati fjalë “mjalti” për portugezin, por ai pas golit nuk u duk shumë i lumtur (siç e tregon fotoja). “Ishte një gol i mahnitshëm, – tha tekniku gjerman, – jo vetëm i rëndësishëm, por edhe i mrekullueshëm. Mendoj se, në tërësi, Kristiano bëri një paraqitje shumë të mirë, më e mira e javëve të fundit”. Edhe në këtë vlerësim ka një kritikë të vogël, pra që CR7 nuk ka qenë aq mirë në javët e fundit deri mbrëmë. Vetë Ronaldo është shënuesi më i mirë i Junajtidit këtë sezon me 15 gola, ndërsa në Instagram shkruajti se “u kthyem në shina, ne nuk dorëzohemi kurrë, dhe objektivat realizohen vetëm në një mënyrë: punë e madhe, punë si skuadër, punë serioze, të tjerat janë zhurma”.

Sfidanti.al