Përse humb Mançester Junajtidi? Roi Kin: Sepse nuk ka udhëheqës!

A mund të besohet që një skuadër kaq e rëndësishme, dhe që triumfoi në fushën e Paris SG e mundi 5-0 Lajpcigun në Champions, të mos ketë “dhëmbë” në “Old Traford”. Kjo është e vërteta, ndërsa Mançester Junajtidi nuk ka asnjë fitore në fushën e vet në Premier Ligë. Disfata ndaj Arsenalit, shkaktuar pas golit me penallti të Obamejangut në minutën e 69-të, ishte dështimi i radhës, ndërsa “djajtë e kuq” janë në vendin e 15-të në ligën me 20 skuadra, me vetëm 7 pikë në 6 ndeshje, ndërsa Liverpuli ka 16 pikë në 7 ndeshje.

“Kjo skuadër nuk ka udhëheqës, – shprehet ish-kapiteni Roi Kin, – folëm para ndeshjes se Junajtidi duhej të ishte agresiv, duhej të ishte sulmues, je skuadra vendase, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Mbi të gjitha pati një mungesë energjie, entuziazmi, një mungesë cilësie sidomos në pjesën e dytë. Nuk pati përqëndrim. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, duhen liderët, duhet karakteri, por unë nuk e pashë. Kjo skuadër ka rrugë të gjatë për të bërë deri në majë”. Junajtid, në stadiumin e tij, ka humbje ndaj Kristël Palasit, katastrofën 1-6 ndaj Totenhemit, barazimin 0-0 me Çelsin dhe tani humbjen 0-1 ndaj Arsenalit.

Sfidanti.al