Hija e Covid-19 te Real Madrid, një futbollist i prekur

Të martën është në program ndeshja e rëndësishme e Ligës së Kampioneve mes Realit të Madridit dhe Interit me skuadrën merenges që nuk vjen në formën më të mirë të mundshme. Skuadra e Zidane edhe pse në kampionat kryeson me 16 pikë, në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube nuk ka bërë mirë teksa në 2 ndeshje të zhvilluara ka marrë vetëm 1 pikë, atë në barazimin 2-2 me Borussia Moenchengladbach. Tani problemeve të Los Blancos u shtohet edhe Covid-19 teksa sipas të përditshmes Marca, një prej futbollistëve të skuadrës madrilene ka rezultuar pozitiv në testet e kryera në prag të sfidës me Interin.

Reali i Madridit që ka shënuar raste me coronavirus edhe te skuadra rezervë e tij, nuk e bëri të ditur emrin e lojtarit por shtoi se ai do t’i nënshtrohet një testi të dytë për të kuptura nëse bëhet fjalë për një rast tjetër me Covid apo për një pozitivitet fals. Është ky një problem më vete për Zidane që në ndeshjen me Interin do të duhet të bëjë edhe pa Carvajal, Nacho, Odriozola dhe Lucas Vazquez.

sfidanti.al