Përmbysje, VAR dhe shpresa e mbrojtjes, e shtunë e nxehtë për Liverpulin!

“I mbyturi të mbyt” thotë populli, dhe Shefild Junajtidi për pak e bëri këtë ndaj Liverpulit. Skuadra e fundit në tabelë, që ka marrë vetëm 1 pikë deri tani në Premier Ligë, shënoi papritur në “Anfild” duke i tronditur kampionët që, megjithatë arritën të reagonin. Roberto Firmino dhe Diogo Zhota ishin autorët e golave për një fitore të rëndësishme që nuk i shkëput të kuqtë nga kreu, dhe që tregon se ata kanë karakter pas disa ditësh tepër të vështira. Humbja 2-7 në fushën e Aston Vilës, barazimi 2-2 në derbi ndaj Evertonit dhe fitorja me fat në fushën e Ajaksit në Champions kishin krijuar presion.

Gjithsesi, Liverpuli pati një tjetër vendim të rëndësishëm të VAR-it kundër, pikërisht golin e anuluar ndaj Mohamed Salahut. “Ne ishim sërish në anën e keqe të vendimit të VAR-it, – tha trajneri Jurgen Klop, – po na ndodhin shpesh herë gjëra të tilla. Gjithsesi, ne reaguam dhe unë mendoj se mbrojtja jonë luajti mirë pavarësist mungesave”. Fabinjo, zëvendësuesi i Van Dajkut, shkaktoi penallti, por Klopi tha se këto janë gjëra që ndodhin. Lajmet janë që Liverpuli do të përpiqet të marrë mbrojtësin e Shalkes, Ëzan Kabak (20 vjeç), i cili mund të kushtojë deri në 25 milionë euro, madje ka nisur bisedimet me klubin gjerman për transferimin që mund të ndodhë në janar.

Sfidanti.al