Nis të ndihet dora e Klopit, Mane shpallet lojtari i muajit në Angli!

Në një kampionat të mbushur me yje, pavarësisht se disa nuk erdhën në gusht, nuk e ka të lehtë që të zgjedhë më të mirin, qoftë edhe për një muaj. Gjithsesi, në Premier Ligë e bënë zgjedhjen për 31 ditët e fundit të verës, dhe nderi për futbollistin më të mirë i takoi Liverpulit. Sadio Mane, sulmuesi i shpejtë dhe i talentuar i të kuqve, la pas rivalët duke fituar çmimin jo pak të rëndësishëm.

Afrikani ka shënuar 3 gola në 3 ndeshje, me Liverpulin që mban vendin e dytë në renditje me 7 pikë, 2 më pak se Mançester Junajtid, dhe baraz me Hadërsfildin, Mançester Sitin dhe Uest Bromin. Ai fitoi ndaj konkurrencës së tre lojtarëve të Junajtidit (Xhons, Lukaku, Mkitarian) si dhe të shokut të tij të skuadrës, Mohamed Salah. Mane i është dashur shumë Klopit, sidomos në një periudhë të ngjeshur, edhe me ndeshjet e plej ofit të Championsit, si dhe në mungesë të Filip Kutinjos, që donte të shkonte tek Barcelona.

Sfidanti.al