Nga Reali tek “Vëllai i Madh”, si mund të ulet kështu Poçetino?!

Një vit e ca më parë, një trajner argjentinas refuzoi stolin më të rëndësishëm në botë. Maurisio Poçetino nuk e braktisi Totenhemin, me të cilin kishte rinovuar kontratën dhe tek i cili kishte bindur yjet që të qendronin, dhe vazhdon detyrën edhe sot. Ishte Reali i madhërishëm i Madridit që kishte “trokitur” në derën e tij, ndërsa Zinedin Zidan kishte dhënë dorëheqjen, dhe shumëkush mendoi se përgjigjja do të kishte qenë pozitive.

“Ju thoni se askush nuk i thotë dot “jo” Realit, – tha Poçetino, në një bisedë me gazetarët, – por, ju nuk më njihni mua”. Kjo histori po përmendet sot, kur Reali sërish po kërkon trajner, por ndoshta në formë hakmarrjeje nuk e ka më argjentinasin në krye të listës. Aty janë Masimiliano Alegri dhe Zhoze Murinjo.

Një tjetër lajm që ka dalë në Angli për Poçetinon është ai i nofkës që i kanë vënë atij disa nga lojtarët e Totenhemit. Ata po e quajnë “Vëllai i Madh”, duke e krahasuar me spektaklin “Big Bradhër” (Big Brother), sepse shpesh herë Poçetino i ndjek stërvitjet e skuadrës nga një monitor, dhe jo në cepin e fushës apo në mesin e saj. Duket një ekzagjerim i madh për njeriun që e bëri Totenhemin një ekip Championsi, dhe e nxorri në finale vitin e kaluar. Trajneri e dha përgjigjen e tij për të gjithë: “Mos u bëni merak, unë mund të jem këtu edhe për 5 vitet e ardhshme”!

Sfidanti.al