Kjo është mënyra sesi e jeton jetën, gjithnjë në sulm dhe agresiv. Zhoze Murinjo nuk ndryshon as kur fiton dhe as kur humbet, ndaj edhe konferenca e tij e fundit për shtyp, ajo në prag të derbi të Mançesterit, pati “spec djegës”. Këtë herë, personazhi i “filmit” ishte Sergio Aguero, sulmuesi i Sitit, që sipas Murinjos, bëri teatër dy vjet më parë, duke nxjerrë me të kuqe Maruan Felainin. Ishte një moment, kur dy lojtarët u ndodhën kokë më kokë, dhe belgu i dha një goditje argjentinasit, që u rrëzua menjëherë përtokë duke mbajtur kokën me duar.
“Ka disa gjëra të vogla që nuk më pëlqejnë në këtë lloj futbolli, – tha Murinjo, – e admiroj Agueron si futbollist, është një golshënuesi i madh dhe me klas të jashtëzakonshëm, por nëse ai nuk do të ishte rrëzuar, Felaini nuk do të kishte dalë me të kuqe”. Portugezi tregoi se pas ndeshjes gjyqtari i kishte thënë se “ishte karton i kuq”, ndërsa ai iu përgjigj se “fytyra e Agueros ishte e hijshme si përherë, pa asnjë dëmtim, pa asnjë shenjë, ndërsa ai u rrëzua, sikur iu thyen kockat”.
Sfidanti.al