Nëse Murinjo përdor kundrejt ndonjë lojtari të vet metoda, me të vërtetë, të hidhura dhe të pazakonta, këtë, padyshim, e ka ndjerë mbi kurrizin e vet mbrojtësi i majtë i ri anglez, Luk Sho, një futbollist që, gjatë periudhës së kaluar, nuk i ishte dhënë shansi që ta tregonte veten në fushën e lojës, megjithëse kondicioni i tij fizik ka qenë në rregull dhe ai ishte në dispozicion të “Specialit”. Krejtësisht papritur, Murinjo vendosi që t’i japë shans këtij futbollisti këmbëshpejtë në ndeshjen e fundit të grupit të LK-së me CKSA-n e Moskës dhe staticienët pedantë anglezë llogaritën se kjo ishte përfshirja e parë e Luk Shosë në ekip mbas një “golgote” që kishte zgjatur 219 ditë!
Ky mbrojtës priti shansin e vet mbas mëse shtatë muajsh injorimi nga Murinjo, por, sidooqoftë, me performancën në fushë, ai dëgjoi fjalë të mira nga trajneri i vet: “Luk Sho luajti, më të vërtetë, mirë, sidomos, duke u treguar edhe ofensiv. Ai pati një ndikim të shkëlqyer dhe e ndihmoi ekipin. Ai priti që të luante shumë kohë; në fakt, ai e ka merituar diçka të tillë. Ai arriti që ta përballoi ndeshjen gjatë 90 minutave, ndërkohë që unë, paraprakisht, i kisha thënë atij se ky nuk është ndonjë test për të, kështu që të mos impresionohet. Me të vërtetë, se unë jam i kënaqur nga loja e tij”, deklaroi Murinjo për këtë futbollist, të cilit shumëkush i parashikoi një karrierë të shkëlqyer, por që, nën drejtimin e Murinjos, nuk ka pasur ndonjë progres të dukshëm.
Sfidanti.al