Arbitri nuk dalloi gjë dhe skuadra vendase nuk mori atë që mendonte se e meritonte. Mançester Siti arriti suksesin minimal në “Gudison Park” ndaj Evertonit, edhe pse pati një sfidë shumë të vështirë në Premier Ligë. Edhe pse kampionët zotëruan topin si përherë (68%), dhe bënë 8 gjuajtje në kuadrat (2 Evertoni), sërish shënuan shumë vonë, vetëm në 81’ me anë të Fil Fodenit. U duk se Siti ndjeu presionin e garës për titull me Liverpulin, dhe loja nuk ishte ajo e zakonshmja, edhe pse tani ka 6 pikë më shumë (me një ndeshje më shumë). Protesta e trajnerit të Evertonit, Frenk Lampard, ishte e fortë për penalltinë. “Edhe djali im 3-vjeçar do të kishte thënë se ajo ishte penallti, – tha Lampardi, – cilido njeri që do ta kishte parë atë aksion, do të kishte thënë se ishte penallti. Duhet bërë diçka për këtë. VAR-i duhet ta kishte shqyrtuar momentin ndërsa krahu ishte në pozicion jonatyral”. Gjithsesi, Guardiola ishte krenar pas ndeshjes. “Kjo është Premier Liga, – tha ai, – “Gudison Parku” ka qenë gjithnjë një fushë e vështirë. Në pjesën e dytë ne ishim shumë më mirë dhe ishte një fitore e merituar”.
Sfidanti.al