Mesazh emocional lamtumire i Kutinjos – Liverpulit

Filipe Kutinjo u prezantua, ditët e fundit, edhe zyrtarisht, si përforcimi i parë dimëror i Barcelonës, duke hyrë në histori si lojtari më i shtrenjtë i blerë nga klubi katalonjas, vetëm pak muaj pasi nga Barça u largua futbollisti tjetër brazialian, Nejmar. Pavarësisht se verën e kaluar, sikurse u tha atëkohë, Kutinjo u nxeh shumë që Liverpuli nuk e la atë që të largohet për në “Kamp Nou”, mesazhi i lamtumirës që ky futbollist i ka dërguar, tani, që u largua nga Liverpuli, këtij të fundit, është, me të vërtetë, emocional dhe, për më tepër, dallohet nga kortezia dhe mirënjohja e madhe e tij ndaj klubit të “të kuqve”:

“Që nga fillimi, kur mbërrita për herë të parë në Liverpul, unë dhe familja ime e kemi ndjerë veten të mirëpritur dhe bëmë shumë miq në këtë qytet. Si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, unë i ndjeva nga afër bukurinë dhe dashamirësinë e klubit dhe të tifozëve të tij. Shpresoj që unë të kem lënë këtu kujtime dhe momente të mira që u kanë sjellë gëzime tifgozëve të Liverpulit. Kur erdha në Liverpul, unë isha i vetëdishëm për madhështinë e historinë e këtij klubi, por ajo që mësova gjatë kohës së qëndrimit tim te ky klub, është zemra e madhe dhe karakteri unik i tij, pasi ai ka personalitetin dhe karakterin e vet të veçantë..

Unë po largohem nga Liverpuli, pasi Barcelona është ëndrra ime. Në Liverpul, unë qëndrova pesë vite, realizova një ëndërr, kurse, tani, dua të realizoj një ëndërr tjetër. Besoj se tifozët e kuptojnë dëshirën tim që unë të përjetoj një diçka të re. Kjo nuk do të thotë se ata nuk janë më të rëndsësishëm për mua. Asgjë nuk do të më detyroj që të ndryshoj atë që unë ndjej në zemrën time për ata. U uroj Liuverpulit dhe Jyrgenit sukseset më të mëdha në fund të sezonit…  Ju, tifozët, klubi dhe qyteti, gjithnjë do të jenë pjesë e qenies sime. ‘You’ll Never Walk Alone’ (Ju, kurrë, nuk do të jeni vetëm)”, vihet në dukje në mesazhin emocional të lamtumirës së Kutinjos drejtuar Liverpulit.

Sfidanti.al