Më fund, pas 22 vitesh, Xhon Teri do të largohet nga Çelsi

Çelsi që kryeson, aktualisht, në Premier Ligën angleze, në fund të këtij sezoni, nuk do t’i ofrojë kontratë të re kapitenit shumëvjeçar të tij, Xhon Teri, që do të thotë se, pas 22 vitesh, duke llogaritur edhe kohën në shkollën e të rinjve të ekipit, ky mbrojtës legjendar do të largohet nga “Stemford Brixhi” ose, ndoshta, do t’i japë fund karrierës së tij si futbollist. Ai kishte mundësinë që të largohej gjatë verës, ndërkohë që, aktualisht, ka një ofertë edhe nga ekipi kinez, Shangai Shenhua. Sipas gazetës “Tajms”, trajneri Antonio Konte, tanimë, e ka njoftuar Terin se ai nuk ka në plan që të mbeshtetet te shërbimet e tij gjatë sezonit të ardhshëm dhe që ai të mendoj se çfarë do të bëjë pas verës së ardhshme.

Sidoqoftë, situata e tanishme të kujton atë të vitit të kaluar, kur Teri, po ashtu, mori informacionin se kontrata me të nuk do të vazhdonte, pak muaj para se ai të nënshkruante një kontratë të re. Ky futbollist veteran është pjesëtar i ekipit të parë të Çelsit që nga viti 1998 dhe që, atëkohë, ai ka luajtur në 710 ndeshje, duke shënuar 66 gola. Ai ka fituar katër tituj kampioni në Premier Ligë, pesë në Kupën FA, tre ne Ligën e Kupës së Anglisë, dy Superkupa dhe nga një në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Evropës.

Sfidanti.al